Një zhvillim i papritur ka marrë rasti i Christa Pike në Tenesi. E dënuara me vdekje, e cila mbijetoi pas një tentative të dështuar për ekzekutimin e saj me injeksion vdekjeprurës, ka rifituar vetëdijen në spital dhe ka nisur të komunikojë.
Vetëm një ditë më parë, situata dukej krejtësisht ndryshe. Sipas avokatit të saj, Randy Spivey, mjekët kishin ngritur dyshime se Pike mund të kishte pësuar vdekje të trurit dhe po shqyrtohej mundësia e ndërprerjes së aparaturave që e mbanin në jetë.
Por të martën ajo u zgjua.
“Ku jam?” dhe “Kush je ti?”, mësohet se kanë qenë ndër fjalët e para të saj pasi rifitoi vetëdijen.
Avokati tregoi para një gjykate në Tenesi se Pike është ende e çorientuar dhe po përpiqet të rikuperojë kujtesën. Pavarësisht përmirësimit të papritur, problemet shëndetësore vazhdojnë të jenë serioze.
Sipas mbrojtjes, ajo ka një mpiksje gjaku në njërin krah dhe po trajtohet për pneumoni. Pike nuk është ende në gjendje të gëlltisë dhe nuk ka mundur të ushqehet, ndërsa ka ënjtje të konsiderueshme në gjymtyrë. Ende nuk është e qartë se në çfarë mase do të rikuperojë lëvizshmërinë.
Gjendja e saj ka hapur ndërkohë edhe një betejë të re ligjore.
Gjyqtarja Aisha Miles pranoi kërkesën e avokatëve për të mos asgjësuar asnjë provë që lidhet me procedurën e ekzekutimit. Vendimi përfshin dokumentacionin, por edhe materialet e përdorura në dhomën e ekzekutimit, mes tyre shiringat, pajisjet intravenoze dhe tretësirën e përdorur.
Mbrojtja kërkon që gjithçka të ruhet për një padi të mundshme ndaj shtetit të Tenesit. Avokatët po kërkojnë gjithashtu më shumë informacion për atë që ndodhi gjatë procedurës dhe arsyen pse ekzekutimi nuk përfundoi siç ishte parashikuar.
Çështja Pike ka marrë përmasa përtej Tenesit.
Në Teksas, avokatët e Jamal Howard, 46 vjeç, iu referuan pikërisht rastit të saj në përpjekjen për të shtyrë ekzekutimin e klientit të tyre. Ata i kërkuan guvernatorit Greg Abbott një shtyrje prej 30 ditësh, por kërkesa nuk u pranua dhe Howard u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës.
Ekzekutimi i tij ishte i 30-ti i realizuar këtë vit në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të cituara në raportim.
Ndërkohë, ajo që ndodhi me Pike ka rikthyer diskutimet mbi protokollet e injeksionit vdekjeprurës dhe nivelin e transparencës së autoriteteve për substancat, pajisjet dhe procedurat e përdorura.
Pas ngjarjes, guvernatori i Tenesit, Bill Lee, kërkoi pezullimin e ekzekutimeve dhe zhvillimin e një hetimi të pavarur. Më pas u bë e ditur edhe dorëheqja e drejtuesit të Departamentit të Korrektimeve.
Vetë institucioni ka mbrojtur procedurën, duke deklaruar se gjatë tentativës për ekzekutimin e Pike janë respektuar protokollet në fuqi.
Tashmë vëmendja është përqendruar në dy drejtime: te gjendja shëndetësore dhe rikuperimi i Pike, por edhe te hetimi për atë që ndodhi brenda dhomës së ekzekutimit.
