Leonardo Bove, vetëm 16 vjeç, është një nga të mbijetuarit e tragjedisë së rëndë të natës së Vitit të Ri në klubin e natës “Le Constellation” në Crans-Montana të Zvicrës, ku humbën jetën 41 të rinj.

Adoleshenti nga Milano ka kaluar shtatë muaj në trajtim intensiv, pasi pësoi djegie në rreth 60% të trupit. Pas një periudhe të gjatë në spitalet zvicerane, ai u transferua në Qendrën e Specializuar të Djegieve në Niguarda, në Milano, ku iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale, trajtimeve intensive dhe një programi të vështirë rehabilitimi.

Më 17 korrik, Leonardo la spitalin, duke nisur një tjetër etapë të gjatë të rikuperimit pranë familjes.

Gjatë muajve të trajtimit, stafi mjekësor u përpoq jo vetëm të ndihmonte në rikuperimin fizik të 16-vjeçarit, por edhe t’i jepte forcë për të përballuar periudhën e vështirë.

Një prej momenteve më prekëse ishte një ndeshje futbolli e improvizuar brenda klinikës. Mjeku dhe Leonardo shkëmbyen pasime me një dorezë kirurgjikale të fryrë, duke e kthyer për pak çaste ambientin e spitalit në një fushë futbolli.

Për 16-vjeçarin, futbolli u bë një mënyrë për të rifituar gradualisht forcën dhe për të rikthyer një pjesë të normalitetit që tragjedia i kishte marrë.

Edhe pse rikuperimi i tij nuk ka përfunduar dhe do të kërkojë trajtime të vazhdueshme, dalja nga spitali shënon një hap të rëndësishëm në betejën e tij.

Tani, përtej rehabilitimit, Leonardo ka edhe një tjetër dëshirë: të rikthehet në stadium për të parë sërish Interin, skuadrën e zemrës.