I vetmi pasagjer që mbijetoi nga rrëzimi tragjik i avionit të kompanisë Air India, ku humbën jetën 260 persona, nuk pritet të kthehet më në Britaninë e Madhe, pasi është tepër i traumatizuar për të hipur sërish në avion, bëjnë të ditur familjarët e tij.

Vishwash Kumar Ramesh, 40 vjeç, ishte i vetmi person që shpëtoi nga rrëzimi i avionit Boeing 787 që po udhëtonte nga Ahmedabad drejt aeroportit Gatwick në Londër, por u rrëzua pak sekonda pas ngritjes, duke u përplasur me një godinë pranë aeroportit dhe shpërthyer në flakë.

Ai arriti të dalë nga sedilja e tij, 11A, duke u zvarritur jashtë rrënojave me plagë në fytyrë dhe në gjoks. U dërgua menjëherë në spital, ku mori ndihmën e parë dhe po vijon trajtimin psikologjik në Indi.

Familjarët e tij thonë se është aq i frikësuar, saqë nuk besojnë se do të jetë në gjendje të udhëtojë ndonjëherë më me avion. “Mendojmë se do të qëndrojë në Indi, sepse ka shumë frikë të hipë përsëri në avion,” tha kunati i tij për Mail on Sunday.

Bashkëshortja e tij Hiral dhe djali i tyre 4-vjeçar udhëtuan në Indi për ta ndihmuar gjatë rikuperimit, por janë kthyer tashmë në shtëpinë e tyre në Leicester, Britani.

Mes viktimave ishte edhe vëllai i tij, Ajay Ramesh, 35 vjeç, i cili ndodhej në bord së bashku me 240 pasagjerë të tjerë. Gjithashtu, 19 persona të tjerë humbën jetën në tokë.

Familjarët e disa prej viktimave britanike kanë ngritur akuza të rënda ndaj autoriteteve indiane dhe Zyrës së Jashtme të Britanisë, duke pretenduar se mbetjet mortore janë përzier ose janë humbur, ndërsa komunikimi me institucionet ka qenë minimal.

Në një letër drejtuar Sekretares së Jashtme të Britanisë, Yvette Cooper, familjet e Ashok dhe Shobhana Patel si dhe të Fiongal Greenlaw-Meek dhe partnerit të tij Jamie, kërkojnë një hetim të plotë mbi atë që ndodhi pas tragjedisë.

“Na është dashur të ngremë zërin, sepse kemi mbetur në heshtje totale dhe pa asnjë komunikim zyrtar. Ndjehemi të braktisur,” thuhet në letrën e tyre.