Prindërit e Martina Carbonaros, 14-vjeçares e cila u vra në maj të vitit 2025 në Afragola të Napolit, janë vendosur nën masën e ndalimit për t’iu afruar familjes së autorit të dyshuar për vrasjen e vajzës së tyre. Marcello Carbonaro dhe Enza Cossentino, prindërit e adoleshentes, janë gjithashtu të detyruar të mbajnë byzylyk elektronik për monitorim.
Sipas autoriteteve italiane, masa është vendosur pasi çifti akuzohet për kërcënime ndaj familjarëve të Alessio Tuccit, ish-të dashurit të Martinës, i cili ka pranuar autorësinë e vrasjes. Tucci dyshohet se e vrau 14-vjeçaren duke e goditur me gurë në maj të vitit 2025. Vendimi gjyqësor synon të parandalojë çdo afrim të prindërve të viktimës me familjarët e autorit të dyshuar. Avokati i familjes Carbonaro, Sergio Pisani, ka reaguar ndaj masës së marrë nga gjykata, duke deklaruar se e respekton vendimin, por nuk është dakord me të.
“E respektoj masën, por nuk mund ta ndaj këtë vendim”, tha avokati, duke argumentuar se sjelljet e kundërshtuara nuk përbëjnë, sipas tij, një kërcënim të mirëfilltë penal.
Sipas Pisani-t, fjalët e cituara në aktet hetimore ishin shprehje të dhimbjes dhe dëshpërimit të një babai pas humbjes së vajzës së tij.
“Këto ishin fjalët e një babai të shkatërruar nga vrasja e vajzës së tij, të shprehura në një gjendje dëshpërimi dhe tronditjeje të thellë emocionale”, deklaroi avokati.
Ai shtoi se jurisprudenca e Gjykatës së Kasacionit në Itali kërkon që një kërcënim të ketë një aftësi konkrete për të frikësuar personin tjetër dhe se, sipas tij, kjo nuk ekziston në këtë rast.
“Jam i bindur se Gjykata e Rishikimit do të rikthejë zbatimin e drejtë të parimeve ligjore, duke bërë dallimin mes një shpërthimi dëshpërimi dhe një kërcënimi real me rëndësi penale”, përfundoi Pisani.
