Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër homologun rus Vladimir Putin, duke deklaruar se ai “nuk dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë”.

Gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh se është “i zhgënjyer” nga sjellja e Putinit, pavarësisht marrëdhënies së mirë që kanë pasur në të kaluarën.

“Kjo luftë ka qenë e dëmshme për të. Tashmë po hyn në vitin e katërt, ndërkohë që ai duhej ta kishte përfunduar për një javë,” tha Trump.
Sipas tij, Rusia ka humbur rreth 1.5 milionë ushtarë, mes të vrarëve dhe të plagosurve, ndërsa ekonomia po përballet me pasoja serioze.

Trump shtoi se në Rusi janë krijuar radhë të gjata për karburant dhe se ekonomia po shembet:

“Kam pasur një marrëdhënie të mirë me Vladimirin, por ai nuk po e mbyll këtë luftë, dhe kjo e bën të duket keq. Ai mund ta kishte përfunduar shumë më herët,” theksoi ai.

Gjatë aktivitetit ku ishte i pranishëm edhe presidenti argjentinas Javier Milei, Trump vlerësoi gjithashtu qëndresën e Ukrainës, duke thënë se pak kush do të kishte menduar që ajo do të arrinte të përballej me Rusinë për katër vite rresht.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy pritet të takohet me Trump në Uashington të premten, për të diskutuar mbi mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe aftësitë e saj për goditje në distanca të gjata.