Lord Peter Mandelson ka deklaruar se Jeffrey Epstein e kishte mbajtur “të ndarë” nga ana e tij seksuale, duke sugjeruar se kjo lidhej me faktin që ai është homoseksual.
Ish-ambasadori britanik në SHBA në një intervistë për BBC tha se nuk ka parë kurrë vajza apo gra të reja në pronat e financierit të ndjerë dhe se nuk ishte në dijeni të krimeve të tij.
Në intervistën e parë që nga shkarkimi i tij për shkak të lidhjeve me Epstein, Mandelson refuzoi t’u kërkojë falje viktimave për ruajtjen e miqësisë, duke theksuar se nuk ishte “as bashkëpunëtor dhe as fajtor”.
Ai pranoi se kishte qëndruar disa herë në pronat e Epstein në New York, New Mexico dhe në ishullin privat të tij, por tha se aty kishte parë vetëm shërbëtore dhe se Epstein shpesh nuk ndodhej fare aty.
Mandelson u shkarkua pasi u publikuan emaile ku ai i shprehte mbështetje Epstein-it edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për nxitje prostitucioni nga një e mitur. Në një prej mesazheve, ai e inkurajonte Epsteinin të kërkonte lirim të parakohshëm.
Qeveria britanike tha se “thellësia dhe shtrirja” e marrëdhënies mes tyre ishte më e madhe nga sa ishte deklaruar fillimisht dhe se kjo ishte arsyeja e largimit të tij të menjëhershëm nga posti i ambasadorit.
Epstein vdiq në vitin 2019 në një qeli burgu në Nju Jork, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.
Figura të Partisë Laburiste e kanë kritikuar Mandelsonin, duke e cilësuar sjelljen e tij si “naive”, ndërsa kanë theksuar se një kërkim faljeje ndaj viktimave do të kishte qenë i domosdoshëm.
Mandelson tha se e kupton vendimin e shkarkimit dhe se nuk ka ndërmend ta rihapë çështjen, duke shtuar se do të ecë përpara.
Top Channel
