Një shtetas slloven rrezikon të dënohet deri në pesë vjet burg dhe me një gjobë prej mbi 11 mijë eurosh, pasi i preu kokën monumentit prej bronzi të ish-presidentit jugosllav Josip Broz Tito në qytetin e Velenjës.

Miroslav Paçnik është akuzuar nga Prokuroria e Qarkut në Celje për dëmtimin ose shkatërrimin e një objekti me rëndësi të veçantë kulturore, sipas Kodit Penal të Sllovenisë. Përveç dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj monumentit. Vetë Paçnik bëri të ditur në Facebook se kishte pranuar aktakuzën, duke e cilësuar procedurën si ironike. Ai përsëriti qëndrimet e tij kundër Josip Broz Titos, duke pretenduar se ish-presidenti jugosllav kishte shtypur kulturën sllovene dhe ishte përgjegjës për vdekjen e shumë veprimtarëve kulturorë të kësaj republike, e cila nga fillimet e viteve 90 të shekullit të kaluar ndërsa ka 22 vjet që është pjesë e BE-së.

Policia e identifikoi Paçnik menjëherë pas incidentit falë denoncimit të një qytetari. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, koka e këputur e monumentit u gjet në bagazhin e makinës. Edhe Komuna e Velenjës ka ngritur padi penale ndaj tij dhe ka kërkuar dëmshpërblim prej 11.200 eurosh për dëmtimin e monumentit.