Një video tronditëse e regjistruar vetëm pak sekonda pas atentatit ndaj Charlie Kirk mund të ketë kapur momentin kur vrasësi i dyshuar largohej me nxitim mbi çatinë e një ndërtese në Universitetin e Luginës së Utah-ut.

Pamjet janë filmuar nga brenda një ndërtese që ndodhej pas tendës ku po fliste Kirk, dhe tregojnë momentin e kaosit, ndërsa mbi 3,000 të pranishëm shpërndahen me panik pas të shtënës fatale.

Por ajo që ka ngjallur më shumë interes është një formë e errët që shfaqet në çatinë e një ndërtese përballë, duke vrapuar nëpër kulm dyshohet të jetë autori i atentatit që sapo kishte qëlluar për vdekje 31-vjeçarin konservator.

Një tjetër video, e filmuar para se të ndodhte atentati, duket se tregon të njëjtin person të shtrirë në pozitë snajperi, në çatinë e ndërtesës nga ku dyshohet se u qëllua Kirk. Në sfond dëgjohen njerëz që pyesin me zë të ulët: Ka njerës në çati… po lëviz… kush është ai?

Kjo e përforcon teorinë se autori kishte zënë pozicion paraprakisht dhe kishte planifikuar me kujdes arratisjen.

Charlie Kirk, i njohur për debatet publike me studentët nën moton “Provo që jam gabim”, po fliste në një aktivitet të hapur në kampusin e UVU-së, si pjesë e “Turneut të Rikthimit Amerikan”, kur një plumb e goditi në qafë. Ai ra i përgjakur mbi karrige dhe më pas në tokë, ndërsa truprojet e tij e tërhoqën me urgjencë nga zona.

Dy persona u arrestuan pak pas të shtënave, por më vonë u liruan, pasi rezultuan të pafajshëm.

Sipas përshkrimeve të oficerëve në radio, autori dyshohet të ketë qenë i veshur me pantallona xhins, bluzë të zezë dhe jelek të zi. Ishte i armatosur me një pushkë të gjatë dhe besohet të ketë qëlluar nga një ndërtesë në lindje të bibliotekës së universitetit.

Sipas një harte të publikuar nga mediat amerikane, autori ka qëlluar nga një pozicion ideal, duke pasur qasje të drejtpërdrejtë në tendën ku Kirk po fliste dhe një rrugë arratisjeje të hapur pas ndërtesës. Ish-agjentë të FBI-së besojnë se ai mund të jetë larguar “milje larg për pak minuta”.

FBI ka publikuar një foto të një personi të interesuar, por ende nuk ka të arrestuar zyrtarë. Video e dyshuar e arratisjes së autorit është dorëzuar në duart e hetuesve dhe po analizohet në detaje.

Charlie Kirk, themeluesi i lëvizjes konservatore “Turning Point USA”, la pas bashkëshorten e tij, ish-Miss Arizona Erika Frantzve, dhe dy fëmijë të vegjël.