1 milion euro ka dhuruar Shqipëria për të prekurit nga tërmeti në Turqi. Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka telefonuar live gjatë fushatës sensibilizuese “Turqia një zemër” që u transmetua njëherësh në disa kanale televizive të Turqisë.

Gjatë kësaj telefonate, kreu i qeverisë shprehu ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti tragjik i pak ditëve më parë.

Më pas Rama bëri me dije shifrën e dhuruar dhe theksoi se nuk ka harruar se çfarë bëri Turqia dhe Erdogan për tërmetin e vitit 2019.

“Ne dërguam ekipet tona të ndihmës për të ndihmuar sa të mundëm. Ne e dimë se jemi një vend i vogël. Nuk kemi harruar atë që Turqia dhe Erdogan bëri për ne në tërmetin e 2019.

Ne bëmë maksimumin për të mbështetur popullin turk. Jemi gati ta bëjmë. Falë përpjekjeve fantastike të Turqisë, jam i sigurt se gjithçka do të jetë e suksesshme. Ne po dhurojmë 1 milion euro në emër të popullit shqiptar”, tha kryeministri Rama.