Pozicioni i tij përkeqësohet nga ora në orë dhe Andrea Bonafede, “i vërteti” kësaj here, po bën një sërë pranimesh teksa merret në pyetje nga hetuesit që koordinuan kapjen e bossit të mafias, Matteo Messina Denaro, që ndodhi dje në Palermo. Sipas “Il Corriere”, i vendosur në qoshe dhe me perspektivë për një dënim të rëndë, 59-vjeçari i cili po hetohet për lidhje mafioze, pranoi se e njihte bossin e mafias që kur ishin të rinj.

Madje pranoi se shtëpinë e kishte blerë me paratë që i kishte dhënë Denaro.

Anti-Mafia Italiane arrestoi pas 30 vitesh në kërkim bosin e mafias famëkeqe Cosa Nostra, Messina Denaro. Ai u arrestua në një klinikë private në Palermo. Ai ishte duke marrë trajtim rreth orës 09:00, kur karabinierët zbarkuan dhe mbi 100 policë u përfshinë në arrestimin e tij. Messina Denaro është dënuar dhe gjykuar në mungesë për një sërë vrasjesh, përfshirë edhe ekzekutimin e dy prokurorëve të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitin 1992.

Skeda e tij kriminale vazhdon me të tjera ngjarje të rënda si sulmet me bomba vdekjeprurëse të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, dhe rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi që ishte kthyer në të penduarin e drejtësisë. Denaro  mbikëqyri gjithashtu shantazhin, hedhjen e paligjshme të mbeturinave, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës për sindikatat e fuqishme të krimit të organizuar Cosa Nostra. Ai thuhet se ishte i mbrojturi i Totò Riina, kreut i klanit Corleone, i cili u arrestua në vitin 1993 pas 23 vitesh në arrati. Edhe arrestimi i Denaro është bërë në të njëjtën datë. Por edhe pse në arrati, aktiviteti i Denaro vazhdonte ku mendohet se ai jepte urdhra vartësve të tij nga vende sekrete për ekzekutime dhe trafiqe.