Udhëheqësja e opozitës venezueliane dhe laureatja e Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, do të takohet sot me Presidentin e SHBA-së Donald Trump për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë, pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan nga pushteti rivalin e saj të hershëm, Presidentin Nicolas Maduro.
Machado fitoi Çmimin Nobel për Paqen në tetor për luftën e saj kundër diktaturës në Venezuelë, sipas shpjegimit të Komitetit Norvegjez të Nobelit, dhe sipas saj, dita kur mori çmimin ishte hera e fundit që foli me Trump, raporton Reuters. Machado, 58 vjeçe, është fshehur që nga zgjedhjet e vitit 2024, për të cilat qeveria venezueliane nuk ka publikuar kurrë rezultate zyrtare, por Maduro u shpall fitues.
Komiteti i Nobelit e njohu Machadon “për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin venezuelian dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”, duke vënë në dukje se ajo e bëri këtë “përballë autoritarizmit në rritje”.
Pasi iu dha Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2025, Machado tha se do të donte t’ia linte çmimin Trump, si një akt mirënjohjeje për mbështetjen e tij për popullin venezuelian, ndërsa Komiteti i Nobelit njoftoi se çmimi i dhënë një fituesi nuk mund t’i transferohet një tjetri.




