Një superjaht luksoz me vlerë 500 milionë euro, i sekuestruar nga oligarku rus Andrey Melnichenko pas sanksioneve të BE-së për lidhjet e tij me Kremlinin, po shkakton zemërim në Itali për shkak të kostove marramendëse të mirëmbajtjes.
Jahti, i njohur thjesht si “A”, është i ankoruar në portin e Triestes që prej marsit të vitit 2022, dhe po i kushton bashkisë italiane 30,000 euro në ditë, një shumë që tashmë ka kapur shifrën 24 milionë paund prej ditës së parë të sekuestros.
Sipas kryetarit të bashkisë, Roberto Dipiazza, kjo është një barrë e pajustifikueshme për qytetin, kur buxhete të tilla si ai për rrjetin e tramvajeve nuk kalojnë 750,000 euro në vit.
Autoritetet janë të detyruara ta mbajnë jahtin në gjendje perfekte, pasi është teknikisht “i ngrirë” dhe jo konfiskuar. Kjo do të thotë se, nëse sanksionet hiqen ose një gjykatë vendos ndryshe, jahti duhet t’i kthehet pronarit në të njëjtën gjendje.
Kostot përfshijnë sigurinë 24/7 të jahtit, mbajtjen e ekuipazhit minimal, karburantin dhe mirëmbajtjen teknike dhe kostot e ankorimit.
Jahti “A” përfaqëson kulmin e luksit dhe teknologjisë detare. Me tre direkë më të lartë se Big Ben, ai klasifikohet si anije e mesme mallrash për shkak të përmasave. Ndërtuar në Gjermani nga Nobiskrug, jahti operohet nga një ekuipazh prej 54 personash dhe ka një sistem të sofistikuar digjital për kontrollimin e veleve.
Kush është Andrey Melnichenko?
Melnichenko, me një pasuri të vlerësuar mbi 15 miliardë dollarë, është një nga oligarkët më të fuqishëm të Rusisë, me interesa në sektorët e plehrave kimikë dhe qymyrit. Ai ishte pjesë e takimit me Vladimir Putinin në 2022, menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, për të diskutuar mbi pasojat e mundshme të sanksioneve.
Edhe pse zyrtarisht ka dhënë dorëheqjen nga kompanitë e tij (EuroChem dhe SUEK), një dokument i BE-së e përshkruan atë si pjesë të “rrethit më të ngushtë të biznesmenëve me lidhje të ngushta me qeverinë ruse”.