OpenAI thotë se inteligjenca artificiale e kompanisë ka arritur të zgjidhë një prej problemeve më të famshme të matematikës moderne, por pretendimi është shoqëruar menjëherë me pikëpyetje dhe akuza për një garë të ethshme mes rivalëve të industrisë, raporton The Guardian.
Bëhet fjalë për problemin Navier–Stokes, i cili lidhet me sjelljen e ekuacioneve që përshkruajnë lëvizjen e fluideve, përfshirë ajrin dhe ujin. Ai bën pjesë në shtatë Problemet e Çmimit të Mijëvjeçarit, të përzgjedhura nga Instituti Matematikor Clay si disa prej sfidave më të rëndësishme të pazgjidhura në këtë disiplinë.
Në thelb, matematikanët kërkojnë të kuptojnë nëse këto ekuacione vazhdojnë të japin zgjidhje të rregullta në çdo rrethanë apo nëse, në kushte të caktuara, ato mund të dështojnë.
Sipas OpenAI, prova e hartuar nga sistemi i saj mbështet mundësinë e dytë. Kompania pretendon se shpejtësia e fluideve mund të rritet deri në pafundësi në pika të caktuara, duke shkaktuar atë që matematikanët e përshkruajnë si «shpërthim» të zgjidhjes.
Për realizimin e punës është përdorur një sistem i brendshëm, të cilin OpenAI e përshkruan si më të fuqishëm se modeli GPT-6 Astra. Rreth 10 mijë agjentë të inteligjencës artificiale janë angazhuar paralelisht dhe, sipas kompanisë, kanë arritur te rezultati brenda 88 orësh. Më pas, GPT-6 Astra ka shpenzuar rreth 17 orë për verifikimin e zgjidhjes.
Studiuesi i OpenAI, Sebastien Bubeck, e cilësoi rezultatin si «kulmin spektakolar të trajektores së vërejtur gjatë 12 muajve të fundit».
Megjithatë, njoftimi hapi një debat mbi mënyrën se si kompania e zhvilloi punën dhe kohën kur vendosi ta publikonte atë.
Matematikani Tristan Buckmaster, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, deklaroi se OpenAI e përshpejtoi kërkimin pasi mësoi se ai dhe një studiues i Anthropic po përgatiteshin të njoftonin rezultatet e tyre mbi të njëjtin problem. Anthropic është një prej konkurrentëve kryesorë të kompanisë që krijoi ChatGPT.
Buckmaster ngriti gjithashtu shqetësimin se materiali ende i papërfunduar i dy studiuesve ishte ruajtur në Codex, sistemin e OpenAI për programim. Kjo, sipas tij, krijonte teorikisht mundësinë që puna e tyre të ishte e qasshme për kompaninë.
Në një shënim të publikuar në faqen e tij, matematikani theksoi se nuk kishte prova për të ngritur akuza të drejtpërdrejta.
«Nuk e di se çfarë bëri modeli i tyre apo si e bëri. Nuk e di nëse të dhënat tona u përdorën. Nuk po akuzoj askënd për asgjë», shkroi ai.
Bubeck mohoi gjatë një konference për shtyp se OpenAI kishte përdorur kërkimin e dy matematikanëve ose kishte hapur materialet e ruajtura në serverët e kompanisë.
OpenAI deklaroi se interesi i saj për problemin u nxit nga informacionet se dy prej Problemeve të Mijëvjeçarit mund të ishin zgjidhur. Kompania pranoi, megjithatë, se nuk mund ta përjashtonte plotësisht mundësinë që të dhënat e krijuara nga përdorimi i produkteve të saj prej dy studiuesve të kishin ndihmuar në përmirësimin e modeleve.
Pretendimi për problemin Navier–Stokes është një tjetër tregues i rolit në rritje të inteligjencës artificiale në kërkimin matematikor. Modelet më të avancuara, të mbështetura në fuqi të jashtëzakonshme kompjuterike, po përdoren gjithnjë e më shumë për të kërkuar prova, për të testuar hipoteza dhe për të verifikuar rezultate.
Në maj, OpenAI deklaroi se kishte shënuar përparim në një problem tjetër të formuluar rreth 80 vjet më parë. Edhe Google DeepMind ka raportuar arritje të modeleve të saj në matematikë.
Publikimi i rezultatit i jep OpenAI gjithashtu mundësinë ta zhvendosë vëmendjen te përdorimet shkencore të teknologjisë së saj, pas shqetësimeve të vazhdueshme mbi sigurinë dhe ritmin e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
