Panik dhe masa ekstreme në Atlantik, identifikohet “pacienti zero” i shpërthimit të hantavirusit në anijen turistike
Autoritetet shëndetësore kanë identifikuar personin që dyshohet se solli shpërthimin e hantavirusit në bordin e anijes turistike “Hondius”, e cila prej ditësh ndodhet në izolim në Atlantik. Bëhet fjalë për ornitologun 70-vjeçar Leo Schilperund, i cili humbi jetën së bashku me bashkëshorten e tij 69-vjeçare gjatë udhëtimit.
Çifti kishte nisur një tur pesëmujor në Amerikën e Jugut, duke udhëtuar në Argjentinë, Kili dhe Uruguai, ndërsa infektimi dyshohet të ketë ndodhur gjatë një ekspedite për vëzhgimin e zogjve në Argjentinë në fund të marsit.
Situata në bord ka ngritur alarmin tek autoritetet europiane, ndërsa anijes iu refuzua fillimisht hyrja në Kepin e Gjelbër. Mbërritja e saj pranë Ishujve Kanarie ka shkaktuar shqetësim mes banorëve vendas, të cilët druhen nga përhapja e virusit pavarësisht protokolleve të sigurisë.
Sipas planit të emergjencës, anija do të ankorohet pranë portit të Granadillës në Tenerife. Pasagjerët do të nxirren në grupe të vogla prej pesë personash me anije të vogla transporti dhe do të dërgohen në një zonë të izoluar në port. Më pas, automjete speciale do t’i çojnë direkt në aeroport për fluturimet e riatdhesimit.
Autoritetet spanjolle kanë njoftuar se shtetasit e tyre do të transportohen me helikopter drejt Madridit, ku do të vendosen në izolim në spitalin ushtarak “Gomez Ulla”.
“Operacioni do të nisë sapo të ketë dritë të mjaftueshme në mëngjes”, deklaroi zyrtari lokal Alfonso Cabello.
Ndërkohë, rreth 30 anëtarë të ekuipazhit do të mbeten në bord për ta çuar anijen drejt Holandës, ku do të kryhet dezinfektimi i plotë. Në bord do të qëndrojë edhe trupi i një pasagjeri që ndërroi jetë gjatë udhëtimit.
Autoritetet shëndetësore po analizojnë edhe kohëzgjatjen e karantinës për pasagjerët. Drejtori i Shëndetit Publik në Spanjë, Pedro Guillon, deklaroi se izolimi do të përcaktohet në bazë të periudhës së inkubacionit të virusit dhe rrezikut të transmetimit.
Sipas ekspertëve, hantavirusi mund të ketë periudhë inkubacioni deri në 45 ditë. Varianti i Andeve, i identifikuar në këtë rast, konsiderohet i vetmi lloj që transmetohet nga njeriu te njeriu.
