Pamjet e përditësuara satelitore të Google Earth kanë nxjerrë në pah përmasat e shkatërrimit në Gaza, ku zona të gjera të territorit shfaqen të mbuluara nga rrënojat pas luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Operacionet ushtarake izraelite kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, spitale, shkolla dhe ndërtesa në të gjithë territorin e Gazës, i cili shtrihet në rreth 141 milje katrore dhe konsiderohet ndër zonat më të dendura të populluara në botë.

Sipas raportimeve të The Independent, qeveria e Benjamin Netanyahu nuk ka lejuar hyrjen e gazetarëve të huaj, hetuesve të pavarur dhe disa organizatave të të drejtave të njeriut në territor. Gazetarja e The Independent, Bel Trew, e cila fluturoi mbi Gaza vitin e kaluar, përshkroi pamje të rrënojave të djegura dhe qyteteve të shkatërruara.

Një eurodeputet, Barry Andrews, publikoi gjithashtu një reagim për pamjet e reja satelitore, duke i cilësuar ato si një dëshmi të qartë të përmasave të shkatërrimit. Nuk është bërë e ditur se kur saktësisht janë përditësuar imazhet, ndërsa The Independent ka kërkuar koment nga Google.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë kërkuar që hetuesit ndërkombëtarë të kenë qasje në të gjitha zonat e Gazës për të mbledhur prova dhe për të dokumentuar shkeljet e dyshuara, ndërsa vazhdon zbulimi i mbetjeve njerëzore nën rrënoja.

Një raport i OKB-së i publikuar së fundmi e përshkroi situatën ekonomike në Gaza si një nga krizat më të rënda të regjistruara ndonjëherë. Sipas raportit, rreth 90 për qind e palestinezëve në moshë pune janë të papunë, ndërsa PBB-ja vjetore për frymë ka rënë në vetëm 212 dollarë, ose rreth 58 centë në ditë.

Vetëm 1.5 për qind e tokës së punueshme thuhet se është ende e qasshme për palestinezët, ndërsa aktiviteti bujqësor dhe industrial ka rënë me rreth 94 për qind.

Përmasat e shkatërrimit paraqesin edhe një tjetër problem: pastrimin e rrënojave. Sipas të dhënave të cituara nga The Independent, në të gjithë territorin mund të jenë shpërndarë rreth 60 milionë tonë mbetje ndërtimore.

Në fillim të këtij viti, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se në Gaza kishte vetëm një ekskavator plotësisht funksional për pastrimin e rrënojave në të gjithë territorin. Mijëra njerëz besohet se mund të jenë ende të varrosur nën ndërtesat e shembura.

Ekipi i provave mjekoligjore në Gaza i tha The Independent se mungesa e analizave të ADN-së ka bërë që qindra trupa të mbeten të paidentifikuar. Sipas tij, të paktën 1,129 trupa janë nxjerrë nga rrënojat, por kanë mbetur pa emër.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 90 për qind e spitaleve në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar. Ndërkohë, të dhënat e Qendrës Satelitore të Kombeve të Bashkuara, UNOSAT, tregojnë se rreth 82 për qind e strukturave dhe më shumë se 90 për qind e njësive të banimit janë dëmtuar ose shkatërruar.

Pothuajse e gjithë popullsia ka mbetur pa shtëpi, ndërsa një pjesë e banorëve vazhdojnë të strehohen në mbetjet e ndërtesave të shembura.

Një tjetër shqetësim lidhet me ruajtjen e provave. Një hetim i CBC News pretendoi se pamjet satelitore tregojnë operacione izraelite për grumbullimin dhe largimin e rrënojave në disa zona të Gazës. Sipas kritikëve, rrënojat mund të përmbajnë mbetje njerëzore dhe prova që mund të jenë të rëndësishme për hetimet mbi shkeljet e dyshuara të ligjit ndërkombëtar.

Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara, ka paralajmëruar se largimi, copëtimi dhe zhvendosja e rrënojave nuk duhet të çojë në shkatërrimin e provave apo të pengojë identifikimin dhe rikuperimin e trupave.

Sipas saj, rrënojat e Gazës mund të përmbajnë mbetje njerëzore dhe prova fizike që lidhen me hetimet për krime të dyshuara ndërkombëtare, përfshirë akuzat për gjenocid.

Izraeli i mohon akuzat se po kryen krime lufte dhe e ka cilësuar akuzën për gjenocid si antisemitike.