Një nënë e cila u vra pa mëshirë së bashku me dy fëmijët e saj nga bombardimet ruse gjatë një “armëpushimi”, ishte një llogaritare e rangut të lartë që kishte ikur më parë nga dhuna në Donetsk.

“Daily Mail” shkruan se Tatyana Perebeynos u vra së bashku me vajzën 9 vjeçe, Alise dhe djalin 18-vjeçar, Nikita, pasi artileria ruse ra mbi ta. Ata po largoheshin në mënyrë të dëshpëruar nga qyteti i rrethuar i Irpin, Ukrainë.

Fotografitë e tyre ku shfaqeshin të pajetë në rrugë, shkaktuan valë tronditëse në mbarë botën, pasi u bë e qartë se “korridoret humanitare” të Vladimir Putin ishin thjesht një imazh.

Pas arratisjes nga forcat separatiste në Donetsk, familja u shpërngul në periferi të kryeqytetit ukrainas katër vite më parë. Ata kishin planifikuar që të rinovonin shtëpinë e tyre dhe të shikonin fëmijët të rriteshin.

Zonja Perebeynos ishte drejtuese e kontabilitetit në SE Ranking, një start-up IT. Ajo kishte bërë shaka me kolegët për të ardhmen e saj gjatë një udhëtimi pune në malet e Gjeorgjisë, vetëm 3 ditë para se lufta të përfshinte Ukrainën.

Ajo ishte një kolege e dashur, e cila kishte një sens të shkëlqyer humori. Ishte e njohur brenda kompanisë për nj personalitet të afrueshëm dhe sjellje të butë. Pasi morën vesh lajmin e vdekjes, kolegët i kanë bërë një nderim të madh asaj.

Pamjet tronditëse të shkrepura të dielën në Irpin, të vendosura në periferi të kryeqytetit të rrethuar, Kiev, konfirmuan se forcat ruse sulmuan zonat e populluara, ku burra, gra dhe fëmijë u përpoqën që të largoheshin nga lufta. Nga ana tjetër, Putin vazhdonte që të mohonte bombardimet e qyteteve ukrainase.