Një incident i rëndë është regjistruar në Macugnaga-s, në zonën alpine të Monte Moros në Itali, ku rreth 100 alpinistë dhe turistë mbetën të bllokuar në lartësinë 2 800 metra mbi nivelin e detit. Ngjarja ndodhi pasi teleferiku u ndal papritur, pas një aksidenti ku mbetën të plagosur tre pasagjerë dhe një punonjës.
Sipas autoriteteve, incidenti ka ndodhur në stacionin e sipërm Monte Moros dhe dyshohet se është shkaktuar nga shpejtësia e tepruar e një kabine gjatë mbërritjes në stacion.
Në aksident u përfshinë dy kabina, njëra u përplas me strukturën e stacionit në majë të malit, ndërsa tjetra me atë në luginë. Në kabinën e sipërme ndodheshin 15 pasagjerë, nga të cilët tre u plagosën, ndërsa në stacionin e poshtëm u lëndua një teknik.
Të plagosurit morën ndihmën e parë menjëherë nga një mjek dhe një infermier që ndodheshin rastësisht në zonë dhe më pas u transportuan me helikopter drejt spitaleve. Autoritetet konfirmojnë se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
Operacioni i shpëtimit për 100 personat e bllokuar u realizua me anë të helikopterëve, të cilët i transportuan të gjithë në mënyrë të sigurt drejt luginës.
