Në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur një hetim i gjerë pas një sulmi të rëndë me thikë në një tren pasagjerësh, ku nëntë persona mbetën të plagosur rëndë.
Mediat e huaja shkruajnë se policia e antiterrorit është bashkar me hetimin, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik britanik.
Incidenti ndodhi të shtunën rreth orës 19:40, kur treni i shpejtë që udhëtonte nga Doncaster drejt London King’s Cross u ndal urgjentisht në stacionin Huntingdon, në Cambridgeshire, pas raportimeve për një sulm me armë të ftohtë.
Sipas policisë britanike të transportit, një burrë i armatosur me një thikë të madhe u neutralizua nga forcat policore, pas një sulmi të dhunshëm në bord. Dy persona janë arrestuar, ndërsa në total 10 persona, nëntë prej tyre në gjendje kritike janë dërguar në spital.
Në vendngjarje mbërritën forcat e armatosura, mjekë, ambulanca ajrore dhe policia e transportit. Dëshmitarë për Sky Neës thanë se sulmi nisi rreth dhjetë minuta pasi treni ishte nisur nga Peterborough dhe se pasagjerët panë skena paniku, me njerëz që vraponin ose fshiheshin në tualete për t’u shpëtuar agresorëve. Njëri prej tyre deklaroi se pa njërin nga sulmuesit ndërsa po arrestohej.
Policia e cilësoi ngjarjen si një “incident madhor”, duke konfirmuar se hetimet po mbështeten nga njësia kundër terrorizmit. Në një moment gjatë ndërhyrjes, autoritetet shpallën kodin “Plato” – sinjali kombëtar që përdoret për të treguar një “sulm terrorist të armatosur në zhvillim” i cili më vonë u tërhoq.
Kryeministri Sir Keir Starmer e quajti incidentin “të tmerrshëm dhe thellësisht shqetësues”, duke shprehur mirënjohje për reagimin e shpejtë të shërbimeve emergjente.
“Mendimet e mia janë me të prekurit dhe familjet e tyre. Falënderime për forcat e rendit për përgjigjen e menjëhershme”, shkroi ai në platformën X.

