Një dron që kishte shkelur gjatë natës hapësirën ajrore të Lituanisë është rrëzuar nga avionë luftarakë të NATO-s, bëri të ditur presidenti lituanez Gitanas Nauseda.
“Një dron që shkeli gjatë natës hapësirën ajrore të Lituanisë u rrëzua shpejt nga avionët luftarakë të NATO-s”, shkroi Nauseda në platformën X, pa specifikuar se cilit shtet i përkiste mjeti fluturues.
Presidenti lituanez e lidhi incidentin me përshkallëzimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Ndërsa Rusia intensifikon agresionin e saj kundër Ukrainës, një gatishmëri e tillë është jetike për rajonin tonë. Së bashku me aleatët tanë të NATO-s, Lituania do të mbrojë hapësirën e saj ajrore”, deklaroi Nauseda.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, falënderoi aleatët e NATO-s për praninë dhe mbështetjen e tyre.
“Falënderimet tona më të sinqerta shkojnë për aleatët, prania e të cilëve ndihmon në mbrojtjen e qiejve tanë dhe forcimin e sigurisë sonë”, shkroi Budrys në X. Sipas tij, NATO mbetet vigjilente, e angazhuar dhe e gatshme për t’u përballur me kërcënime të mundshme.
Sipas transmetuesit publik lituanez LRT, i cili citon Qendrën Kombëtare për Menaxhimin e Krizave, droni u rrëzua në një zonë rurale pranë liqenit të Kaunasit, në pjesën qendrore të Lituanisë. Autoritetet nuk kanë dhënë deri tani detaje të tjera mbi origjinën e dronit apo misionin e tij.
Incidenti vjen në një periudhë tensionesh të larta në krahun lindor të NATO-s, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe vendet baltike kanë rritur masat e sigurisë përballë kërcënimeve të mundshme nga Rusia.

