Një apartament në Quebec të Kanadasë pësoi dëme të mëdha pasi qiramarrësit e kishin fikur plotësisht ngrohjen gjatë pushimeve dimërore. Temperaturat shumë të ulëta shkaktuan ngrirjen dhe shpërthimin e tubave, duke e mbuluar banesën me një shtresë të trashë akulli.
Sipas pronarit të ndërtesës, Jacques Nolt, muret, tavani, mobiljet dhe pajisjet elektrike ishin tërësisht të ngrira, ndërsa në dysheme ishte krijuar një shtresë akulli rreth 30 centimetra. Ai vlerësoi se dëmet kapin dhjetëra mijëra dollarë.
Për shkak të depërtimit të ujit në strukturën e ndërtesës, apartamenti do të duhet të thahet, çmontohet dhe rindërtohet plotësisht, proces që do të mbulohet nga kompania e sigurimeve.
Ekspertët paralajmërojnë se në kushte ekstreme dimri është më e sigurt të ulet temperatura e ngrohjes sesa të fiket plotësisht, pasi kursimet e tilla mund të sjellin pasoja shumë më të kushtueshme.
Qiramarrësit ishin larguar nga banesa më 5 janar dhe ende nuk dihet nëse pronari do të ndërmarrë hapa ligjorë për kompensim.
