Një hetim paraprak i autoriteteve në Emiratet e Bashkuara Arabe ka ngritur dyshime të rënda për një plan të mundshëm terrorist, ku një pilot dyshohet se synonte të përplaste një avion të kompanisë FlyDubai në terminalin e pasagjerëve të aeroportit Ben Gurion, në Tel Aviv.

Sipas CNN, që citon një deklaratë të prokurorit të përgjithshëm të Emirateve, i dyshuari dyshohet se kishte planifikuar të merrte kontrollin e avionit gjatë një fluturimi nga Dubai drejt Izraelit dhe ta përdorte atë për një sulm vetëvrasës, me synimin për të shkaktuar sa më shumë viktima.

Në deklaratën zyrtare, plani i dyshuar cilësohet si një komplot i paramenduar me objektiva terroriste, që synonte të shkaktonte humbje sa më të mëdha në njerëz.

Personi i dyshuar është identifikuar si Hammam Al Hammami. Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, motivet e mundshme dhe mënyrën se si pretendohet se ishte organizuar sulmi.

Hetimi ndodhet ende në fazën paraprake, ndaj pretendimet e bëra nga autoritetet nuk përbëjnë një vendim përfundimtar gjyqësor.