Ambasada e Izraelit në Shqipëri ka reaguar pas incidentit të regjistruar në fluturimin Dubai–Tel Aviv, ku avioni u devijua drejt Arabisë Saudite pas një përplasjeje të raportuar në kabinën e pilotëve.

Në një deklaratë për mediat, ambasada e ka cilësuar ngjarjen si “një përpjekje për rrëmbimin e avionit”, duke e lidhur me një seri sulmesh që ajo i përshkruan si akte terroriste xhihadiste ndaj Izraelit.

Sipas ambasadës, në avion ndodheshin 172 persona, mes tyre 169 shtetas izraelitë. Ajo thekson se fakti që fluturimi kryhej nga një kompani ajrore nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kishte shumicën e pasagjerëve izraelitë, sipas saj, nuk ishte i rastësishëm.

“Ky është një rast që i shtohet një sërë aktesh terroriste xhihadiste kundër Izraelit. Izraeli vazhdon të jetë në shënjestër të sulmeve”, thuhet në deklaratë.

Ambasada e ka krahasuar gjithashtu incidentin me ngjarjet e 11 shtatorit dhe ka argumentuar se synimi ishte goditja e partnerëve të Izraelit në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit.

Ndërkohë, rrethanat dhe motivet e incidentit mbeten nën hetim. Kompania ajrore Flydubai ka bërë thirrje që të shmangen spekulimet përpara se të dalin përfundimet zyrtare të autoriteteve.