Një influencuese 21-vjeçare u nxor me forcë nga banesa e saj dhe u qëllua për vdekje para syve të babait, vetëm pak ditë pasi ishte liruar nga paraburgimi.
Evelyn Lima Dantas po hetohej nga autoritetet për përfshirje të dyshuar në vrasjen e një ish-polici në verilindje të Brazilit, kur u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të së mërkurës.
21-vjeçarja kishte më shumë se 150 mijë ndjekës në rrjetet sociale, ku publikonte video për jetën e përditshme, bukurinë dhe fitnesin.
Sipas dëshmisë së babait të saj, dy persona hynë me forcë në banesën e familjes rreth orës 03:30 të mëngjesit. Ata e nxorën të renë jashtë dhe e qëlluan disa herë për vdekje. Në vendngjarje, autorët shkruan me bojë spraj shkronjat “TCP”, akronim që i referohet grupit kriminal Terceiro Comando Puro (Third Pure Command), një prej fraksioneve kriminale të njohura në Brazil.
Dëshmitarët thanë se autorët u larguan me një automjet përpara mbërritjes së policisë. Kur efektivët mbërritën, gjetën trupin e 21-vjeçares në trotuar, të mbuluar me një çarçaf.
Vrasja ndodhi në mes të hetimeve për ekzekutimin e ish-policit Antonio Anildo Alves da Silva, 56 vjeç, i cili ishte qëlluar për vdekje më 29 korrik nga katër persona me fytyra të mbuluara, jashtë një supermarketi.
Hetuesit dyshonin se Dantas kishte ndihmuar autorët e vrasjes së ish-policit dhe ajo ishte arrestuar në korrik. Megjithatë, ajo u lirua përkohësisht më 9 shtator, vetëm rreth një javë para se të vritej.
Sipas policisë, 21-vjeçarja ishte e njohur më herët për autoritetet, pasi ishte arrestuar edhe më parë nën dyshimin për trafik droge në interes të një grupi kriminal.
Policia ka nisur hetimet për vrasjen e saj dhe po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Megjithatë, autoritetet theksuan se ende nuk mund të konfirmojnë nëse grupi i përmendur në mbishkrimin “TCP” ka pasur realisht rol në ekzekutim.
Një nga pistat që po hetohet është se vrasja mund të ketë qenë një akt hakmarrjeje.
“Po punojmë me hipotezën e një tentative për të mbuluar gjurmët ose të një hakmarrjeje nga ndonjë fraksion kriminal”, tha Rodrigo Lopes për gazetarët
