Ofcom, rregullatori britanik për sigurinë në internet, njoftoi të hënën, më 12 janar, nisjen e një hetimi formal ndaj platformës “X” në lidhje me imazhet me përmbajtje seksuale të postuara nga Grok , chatbot-i i inteligjencës artificiale i platformës së Elon Musk.

“Ka raportime shumë shqetësuese për Grok AI që përdoret në ‘X’ për të krijuar imazhe të njerëzve të zhveshur – të cilat mund të përbëjnë sulm të pahijshëm ose pornografi – si dhe imazhe seksualisht eksplicite të fëmijëve, të cilat mund të përbëjnë pornografi të fëmijëve”, tha Ofcom në një deklaratë.

Qeveria Britanike javën e kaluar i bëri thirrje “X”-it të gjejë një zgjidhje “urgjente” për të parandaluar përhapjen e imazheve të rreme dhe “skandaloze” të grave lakuriq të krijuara nga Grok.

“Ajo që kemi parë në internet ditët e fundit është absolutisht skandaloze dhe e papranueshme në një shoqëri që respekton veten”, tha Liz Kendall, Ministre e Teknologjisë në qeverinë e Keir Starmer.

Komisioni Evropian njoftoi gjithashtu javën e kaluar vendosjen e masave paraprake pas skandalit të imazheve seksuale të të miturve të krijuara nga Grok.

Komisioni Evropian i ka urdhëruar platformës “X” të Elon Musk që të ruajë të gjitha dokumentet dhe të dhënat e brendshme që lidhen me chatbot-in e Inteligjencës Artificiale Grok deri në fund të vitit 2026, njoftoi një zëdhënës i Komisionit.

Komisioni Evropian kishte njoftuar më parë se imazhet e grave dhe fëmijëve të zhveshur që trafikohen në platformën “X” janë të paligjshme dhe të neveritshme, duke iu bashkuar korit të zyrtarëve anembanë botës që dënojnë valën e rasteve të publikimit të materialeve vizuale pa pëlqim në platformë.

Komisioni vendosi kështu të zgjasë një urdhër për ruajtjen e të dhënave të dërguar te “X” vitin e kaluar, i cili kishte të bënte me algoritmet dhe përhapjen e përmbajtjes së paligjshme, u tha gazetarëve zëdhënësi Thomas Rainier.

“Kjo do të thotë që po i themi një platforme: ruajini dokumentet tuaja të brendshme, mos i hiqni qafe, sepse kemi dyshime në lidhje me pajtueshmërinë tuaj… dhe duhet të jemi në gjendje t’i qasemi ato nëse kërkojmë shprehimisht”, tha zëdhënësi.