Të paktën gjashtë persona u vranë nga bombardimet izraelite në dy qytete në jug të Bejrutit, njoftoi Ministria libaneze e Shëndetësisë në orët e para të mëngjesit.

Ajo sqaroi se “sulmet nga armiku izraelit në zonat Aramun dhe Saadiyat” rezultuan në vrasjen e 6 personave dhe plagosjen e 8 të tjerëve “sipas një numërimi ende paraprak” të viktimave.

Ndërkohë, agjencia kombëtare libaneze e lajmeve ANI raportoi se forcat ajrore izraelite bombarduan një “ndërtesë katërkatëshe” në qytetin lindor të Baalbek, duke shkaktuar një numër të papërcaktuar vdekjesh dhe lëndimesh.

Sipas të njëjtit burim, ekipet e shpëtimit po përpiqen të nxjerrin viktimat, të gjallë apo të vdekur, nga rrënojat e ndërtesës.