Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme pritet të ketë pasoja me ndikim global, duke prekur çdo vend pa përjashtim.

Në një reagim të publikuar në platformën X, ai theksoi se “vala e pasojave globale sapo ka filluar dhe do të prekë të gjithë, pavarësisht pasurisë, fesë apo racës”.

Shefi i diplomacisë iraniane e shoqëroi deklaratën me një kopje të letrës së dorëheqjes së një zyrtari amerikan të përfshirë në luftën kundër terrorizmit, i cili ka kundërshtuar zhvillimet e fundit që lidhen me konfliktin.

Araghchi vuri në dukje gjithashtu se po shtohen reagimet ndërkombëtare kundër përshkallëzimit të luftës, duke nënvizuar se një numër gjithnjë e më i madh zyrtarësh nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po e konsiderojnë të padrejtë një përballje ushtarake me Iranin.

“Po rritet numri i zërave, përfshirë nga Evropa dhe SHBA, që shprehen hapur se një luftë kundër Iranit është e padrejtë. Edhe më shumë anëtarë të komunitetit ndërkombëtar duhet të mbajnë të njëjtin qëndrim”, deklaroi ai.