Ukrainën nuk e trembin kërcënimet e regjimit iranian për sulme ndaj territorit të saj, si përgjigje ndaj mbështetjes që Kiev i ka dhënë disa vendeve të Lindjes së Mesme.


Në një intervistë The Jerusalem Post, presidenti Volodymyr Zelensky u shfaq sfidues. “Çfarë të reje ka kjo? Gjatë katër viteve të fundit kam dëgjuar shumë mesazhe të ndryshme,” tha ai, duke komentuar paralajmërimet e Teheranit.

I pyetur qartazi nëse i druhej kësaj situate, Zelensky u përgjigj se ukrainasit kanë jetuar me kërcënime të tilla për vite me radhë. “Jo, nuk kemi frikë nga asnjë lloj mesazhi të tillë,” shtoi ai. “Ne jetojmë me kërcënime të tilla çdo ditë. Prandaj, kjo nuk është diçka e re për ne.

Ai gjithashtu theksoi se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme është nxitur nga regjimi në Teheran, ndërsa shumica e iranianëve kundërshtojnë luftën dhe dëshirojnë një jetë normale. “Mendoj se shumë njerëz në Iran, kryesisht civilë, duan të jetojnë një jetë normale dhe të jenë të lirë,” theksoi kreu i shtetit ukrainas.

Sipas Ukrinform, Ministria e Jashtme ukrainase e ka cilësuar si absurde kërcënimin e kryetarit të komitetit parlamentar për sigurinë kombëtare iraniane, Ebrahim Azizi, për të nisur sulme me raketa ndaj Ukrainës si përgjigje ndaj përkrahjes së saj për Izraelin.