Autoritetet iraniane kanë ekzekutuar Bahman Choubi Asl, një burrë i përshkruar nga drejtësia e Teheranit si “një nga spiunët më të rëndësishëm” të Izraelit. Ky është rasti i parë kur emri i tij bëhet publik, ndërsa nuk është dhënë informacion mbi datën e arrestimit.

Ekzekutimi vjen në sfondin e tensioneve të ashpra midis dy vendeve, pas një lufte 12-ditore në qershor, e cila nisi pas sulmeve të paprecedentë izraelite ndaj territorit iranian, duke goditur baza ushtarake, qendra energjie dhe struktura të lidhura me programin bërthamor. Në kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt Izraelit, shtet që nuk njihet nga regjimi i Teheranit.

Sipas gjyqësorit iranian, Choubi Asl kishte bashkëpunuar ngushtësisht me shërbimin izraelit të inteligjencës së jashtme, Mossad, duke pasur “qasje të privilegjuar në bazat e të dhënave jetësore dhe sovrane” të Republikës Islamike.

Që prej përfundimit të luftimeve, Teherani ka premtuar gjyqe të shpejta për personat e dyshuar për lidhje me Izraelin. Në gusht u hap një proces ndaj 20 të arrestuarve për spiunazh, ndërsa pak ditë më parë u ekzekutua edhe Roozbeh Vadi, i akuzuar për dhënie informacioni mbi një shkencëtar bërthamor të vrarë gjatë konfliktit.