NATO nuk është përfshirë në konfliktin që po ndodh në Lindjen e mesme, por nga ana tjetër do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj nëse do të jetë e nevojshme.
Kështu u shpreh sot në reagimin e tij kreu i Aleancës, Mark Rutte, i cili vijoi duke thënë se aleanca ushtarake “nuk është e përfshirë vetë në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme”.
Duke folur gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, Rutte tha se:
“Irani është një kërcënim për rajonin e gjerë, një kërcënim ekzistencial për Izraelin dhe një kërcënim i madh për ne këtu në Evropë”.
“Le të jemi absolutisht të qartë për atë që po ndodh këtu. Irani është afër të pajisë veten me një kapacitet bërthamor dhe një kapacitet raketash balistike”, tha ai.
Dhe më tej ai shtoi se:
“Mendoj se të gjithë jemi më mirë me largimin e tij (Ajatollah Ali Khamenei i vrarë të shtunën nga një sulm) dhe me kapacitetin bërthamor dhe balistik të mposhtur dhe degraduar tani që po flasim.”
Rutte përsëriti se operacioni u krye nga SHBA-të dhe Izraeli, dhe ndërsa disa aleatë po ofrojnë mbështetje, kjo bëhet në baza dypalëshe.


