Për vite të tëra, Irani ka deklaruar se kishte kufizuar rrezen e veprimit të raketave të tij balistike në 2.000 kilometra. Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi i atëhershëm suprem i Iranit, kishte thënë më 2021 se kishte vendosur këtë kufizim pavarësisht kundërshtimeve nga figurat ushtarake, duke e paraqitur si zgjedhje të qëllimshme. Ajo zgjedhje, sipas zyrtarëve ushtarakë iranianë, ishte sinjal se Evropa nuk ishte në shënjestër të Iranit.
Më 21 mars, dy javë pas vrasjes të Khameneit gjatë luftës të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, Teherani lëshoi dy raketa balistike drejt Diego Garcia, një bazë e përbashkët ushtarake e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Oqeanin Indian që gjendet rreth 4.000 kilometra nga territori iranian. Kufizimi duket se më nuk ekziston.
Raketat nuk goditën objektivin e tyre: njëra dështoi gjatë fluturimet dhe tjetrën e rrëzoi një luftanije amerikane. Analistët theksojnë se goditja e bazës “Diego Garcia” kërkon ulje drastike të ngarkesës shpërthyese të vendosur në raketën më të avancuar me rreze të gjatë të veprimit të Iranit, Khorramshahr-4 dhe ngarkesa të ishte vetëm një pjesë e vogël e peshës së saj normale, duke ngritur pikëpyetje serioze lidhur me saktësinë e goditjes mbi oqean të hapur. Por, në këtë rast, sipas ekspertëve, thelbi i këtij veprimi ishte sinjali.
“Rregullat e lojës kanë ndryshuar. Irani është në luftë për mbijetesë dhe po merr vendime afatshkurtra. Për vite të tëra, Teherani e ka trajtuar kufizimin e tij prej 2.000 kilometrash si mënyrë për të qetësuar rajonin dhe për të ruajtur njëkohësisht parandalimin. Tani kjo logjikë po i lë vendin diçka më urgjente: demonstrimin se Irani ende mund të shkaktojë kosto dhe se kapaciteti i tij shkon përtej fqinjësisë së tij të afërt”, tha Michael Horowitz, ekspert i pavarur i mbrojtjes me seli në Izrael.
Kolapsimi i këtij kufizimi brenda pak ditësh pas vdekjes së Khameneit është e vështirë të shihet si rastësi. Limiti prej 2.000 kilometrash kurrë nuk ka qenë një kufizim teknik, programi raketor i Iranit e tejkalon atë, por më shumë si një kufizim politik, i mbajtur në fuqi nga Khamenei pavarësisht rezistencës së raportuar nga Garda Revolucionare Islamike.
Danny Citrinowicz, analist i sigurisë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare me seli në Tel Aviv, ia atribuon sulmin “ndryshimit të balancës së pushtetit brenda Iranit” dhe “rritjes së doniminimit” të Gardës Revolucionare.
“Irani që po shfaqet ka të ngjarë të sillet më pak si aktor i kujdesshëm dhe që llogarit, ashtu siç e kemi njohur dhe më shumë si një sistem që e toleron rrezikun”, tha ai.
Ajatollah Mojtaba Khamenei, që pasoi babanë e tij si udhëheqës suprem më 8 mars, ende duhet që ta konsolidojë autoritetin. Në fakt, ai nuk është parë në publik që nga marrja e detyrës. Nëse përpjekja për ta goditur bazën Diego Garcia është urdhëruar nga udhëheqësi i ri suprem apo është nxitur nga Garda Revolucionare, që nuk është më e kufizuar nga rregullat e vjetra, rezultati është i njëjtë: kufizimi që kishte qenë në fuqi për vite të tëra është zhbërë pothuajse menjëherë.
Horowitz argumentoi se përpjekja për të goditur bazën Diego Garcia shfaq dobësinë e Iranit po aq sa edhe kapacitetin e tij.
“Sa më shumë që struktura e tij ekzistuese e parandalimit shpërbëhet, aq më tërheqëse bëhen aftësitë bërthamore dhe raketat me rreze më të gjatë si zëvendësuese. Irani nuk mund të shihet më si një kërcënim i kufizuar në Lindjen e Mesme. Ai po ndërton kapacitete që synojnë të rrisin koston edhe për kundërshtarët më të largët”, tha ai.
Për Evropën, pasojat janë të rëndësishme. Irani tani ka treguar gatishmëri, nëse jo ende aftësi të besueshme, për të goditur objektiva shumë përtej rajonit ku gjendet, teksa njëkohësisht kërcënon të mbyllë Ngushticën e Hormuzit që do të godiste tregjet energjetike evropiane dhe, për pasojë, do ta forconin Rusinë.
“Nëse do të isha evropian, do të isha i shqetësuar”, tha Horowitz.



