Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Teheranin se një përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve në rajon, apo sulme të reja ndaj Katarit, mund të sjellin një reagim të ashpër nga Uashingtoni, përfshirë goditjen e plotë të fushës së madhe të gazit South Pars në Iran.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Trump u shpreh në mbështetje të sulmit të fundit izraelit ndaj kësaj infrastrukture strategjike, duke e cilësuar atë si një sinjal paralajmërues për veprimet e Iranit, veçanërisht në lidhje me tensionet në Ngushticën e Hormuzit.
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kishin dijeni paraprake për sulmin izraelit dhe se Katari nuk kishte asnjë rol apo informacion për operacionin. Sipas tij, reagimi i Iranit ndaj objekteve energjetike të Katarit ishte i pajustifikuar dhe i bazuar në keqkuptime rreth rrethanave të sulmit.
Trump shtoi se nuk priten goditje të tjera izraelite ndaj fushës South Pars, përveç nëse Irani ndërmerr sërish veprime kundër Katarit. Në një skenar të tillë, ai paralajmëroi se SHBA-të mund të ndërhyjnë drejtpërdrejt, me ose pa koordinim me Izraelin, duke përdorur një forcë të paprecedentë për të shkatërruar infrastrukturën energjetike në fjalë.
Presidenti amerikan theksoi se synimi i tij është shmangia e një përplasjeje të tillë, duke nënvizuar pasojat e rënda afatgjata që një zhvillim i tillë do të kishte për Iranin dhe stabilitetin rajonal. Megjithatë, ai bëri të qartë se një sulm i ri ndaj objekteve të gazit të Katarit do të sillte një përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare nga SHBA-të.
