Irani ka reaguar ashpër se do të hakmerret me sulme ndaj infrastrukturës civile në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë ura dhe objekte energjetike, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kryejnë sulme ndaj objekteve iraniane.
Paralajmërimi erdhi si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një deklarate të mëparshme të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili tha se SHBA-ja do të godasë urat dhe centralet elektrike të Iranit sa herë që pjesëtarët e Gardës Revolucionare iraniane të hapin zjarr ndaj anijeve në Ngushticën strategjike të Hormuzit.
Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, duke cituar një burim të paidentifikuar të rangut të lartë ushtarak, përcolli mesazhin e qartë të udhëheqjes ushtarake në Teheran.
“Irani ka një vullnet të hekurt për të ushtruar sovranitetin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit dhe kurrë nuk do të lejojë që kjo rrugë ujore të bëhet sërish kërcënim për sigurinë e vendit”, tha burimi ushtarak.
Kërcënimet nga të dyja palët për goditjen e infrastrukturës civile dhe energjetike kanë shkaktuar shqetësim të madh në tregjet globale.
Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës.
Çdo përplasje e drejtpërdrejtë ushtarake në këtë zonë, e shoqëruar me shkatërrimin e urave dhe objekteve energjetike në rajon, do të sillte pasoja të paparashikueshme ekonomike dhe gjeopolitike.
