Garda Revolucionare e Iranit ka paralajmëruar zgjerimin e operacioneve raketore drejt zonave të reja gjeografike, duke deklaruar se vendi ka kapacitetet e nevojshme për të goditur objektiva përtej territoreve ku janë përqendruar deri më tani operacionet ushtarake. Gjenerali Ali Belali, këshilltar i lartë i komandës së Forcës Hapësinore të Gardës Revolucionare, deklaroi se forcat iraniane janë në gatishmëri të plotë dhe se nuk përballen me kufizime në numrin apo vendosjen e raketave.

Ai paralajmëroi se çdo sulm ndaj Iranit do të pasohet me kundërpërgjigje, duke theksuar se objektivat nuk do të kufizohen në një zonë të caktuar gjeografike. Paralajmërime të tjera kanë ardhur edhe nga gjenerali Abdolreza Abed, komandant i shtabit Khatam al-Anbiya, i cili deklaroi se Teherani do të godasë infrastrukturën e kundërshtarëve nëse sulmohen objektet e tij. Ndërkohë, në planin diplomatik, Mohammad Mokhber, këshilltar i liderit suprem Mojtaba Khamenei, pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë humbur ndikimin për të bashkuar aleatë kundër Iranit.

 Duke iu referuar takimit mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Shenzhen të Kinës, ai e cilësoi atë si një tregues të dobësimit të ndikimit amerikan. Mokhber theksoi gjithashtu se siguria e Gjirit Persik dhe Ngushticës së Hormuzit mbetet një vijë e kuqe për Teheranin, ndërsa përmendi shtatë kushte të vendosura nga Irani për përfundimin e konfliktit me SHBA-të, pa dhënë detaje rreth tyre