Autoritetet iraniane kanë intensifikuar masat ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe figurave publike të akuzuara për lidhje me “qeveritë armiqësore”, ndërsa vijojnë arrestimet e lidhura me protestat e janarit.
Gjyqësori iranian ka sekuestruar pasuritë e 240 disidentëve, gazetarëve dhe figurave publike, si dhe ka ngrirë 182 llogari bankare, raportoi agjencia gjyqësore Mizan.
Sipas të dhënave zyrtare, 143 prej sekuestrimeve janë kryer në Teheran. Personat e prekur akuzohen për “propagandë ose veprime kundër vendit dhe në favor të qeverive armiqësore”.
Mes tyre janë edhe gazetarë të angazhuar pranë transmetuesve opozitarë në gjuhën persiane, Iran International dhe Manoto, si dhe aktivistë e figura publike që jetojnë jashtë Iranit.
Një nga rastet e bëra publike është ai i Sadegh Saeedi-nia, i përshkruar nga mediat iraniane si sipërmarrës. Pasuria e tij është konfiskuar dhe ai është dënuar me burg në një proces të profilizuar kundër kundërshtarëve të regjimit.
Ndërkohë, gjyqësori ka paraqitur më shumë se 2 mijë kërkesa pranë Bankës Qendrore për kontrollin e llogarive të personave të pandehur. Autoritetet kanë paralajmëruar se masa të tjera sekuestrimi dhe procedime penale janë në proces.
Në të njëjtën kohë, bilanci i arrestimeve në lidhje me protestat e janarit ka kaluar shifrën e 6 mijë personave. Shifrën e konfirmoi të dielën shefi i Policisë së Iranit, Ahmadreza Radan.
Radan deklaroi gjithashtu se autoritetet kanë arrestuar tre anëtarë të Mojahedin-e Khalq (MEK), organizatë opozitare iraniane me bazë jashtë vendit, e cila synon rrëzimin e regjimit në Teheran.
Masat e fundit tregojnë për një goditje të zgjeruar të autoriteteve iraniane ndaj personave që konsiderohen të lidhur me opozitën ose me shtete të huaja.
