Irani ka intensifikuar masat ndaj kundërshtarëve të regjimit, duke sekuestruar pasuritë e 240 disidentëve, gazetarëve dhe figurave publike, ndërsa autoritetet njoftojnë për më shumë se 6 mijë arrestime të lidhura me protestat e janarit.
Sipas agjencisë gjyqësore iraniane Mizan, janë ngrirë gjithashtu 182 llogari bankare të personave të akuzuar për “propagandë ose veprime kundër vendit dhe në favor të qeverive armiqësore”. Nga sekuestrimet, 143 janë kryer në Teheran.
Mes personave të prekur janë gazetarë që punojnë për transmetuesit opozitarë në gjuhën persiane Iran International dhe Manoto, si dhe aktivistë e figura publike që jetojnë jashtë Iranit.
Një prej rasteve më të profilizuara është ai i Sadegh Saeedi-nia, i përshkruar nga mediat iraniane si sipërmarrës. Pasuria e tij është konfiskuar, ndërsa ai është dënuar me burg në kuadër të një prej proceseve kundër kundërshtarëve të regjimit.
Gjyqësori iranian ka bërë gjithashtu më shumë se 2 mijë kërkesa pranë Bankës Qendrore për kontrollin e llogarive të të pandehurve, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se sekuestrime dhe procedime të tjera janë në zhvillim.
Ndërkohë, shefi i Policisë së Iranit, Ahmadreza Radan, deklaroi se mbi 6 mijë persona janë arrestuar në lidhje me protestat e janarit. Ai tha gjithashtu se forcat iraniane kanë arrestuar tre anëtarë të Mojahedin-e Khalq (MEK), organizatë opozitare iraniane në mërgim.
Radan i akuzoi anëtarët e MEK për rol në atë që autoritetet iraniane e cilësojnë si “grusht shteti”, duke iu referuar protestave të dhjetorit dhe janarit. “Nuk do t’i harrojmë protestuesit dhe komplotistët. Ne vazhdojmë t’i monitorojmë dhe të ndërmarrim masa ndaj tyre”, deklaroi ai.
Shefi i Policisë pretendoi gjithashtu se forcat e sigurisë kishin parandaluar përdorimin e Chaharshanbe Suri, festivalit tradicional persian të zjarrit, për organizimin e protestave të reja. Sipas tij, autoritetet kishin parandaluar një skenar të ngjashëm me protestat e janarit.
Ndërkohë, organizata norvegjeze Iran Human Rights thotë se Irani ka ekzekutuar të paktën 532 persona që nga janari, përfshirë 29 persona të lidhur me protestat. Sipas organizatës, ritmi i ekzekutimeve është përshpejtuar që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara në fund të shkurtit.
Protestat dhe përplasjet me autoritetet kanë sjellë një fushatë të gjerë represive, ndërsa regjimi iranian vazhdon t’i paraqesë protestuesit dhe kundërshtarët e tij si pjesë të një përpjekjeje për destabilizimin dhe rrëzimin e sistemit.
