Irani ka vendosur masa të reja kufizuese në hapësirën ajrore të pjesës perëndimore të vendit, mes tensioneve të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara.

Sipas Organizatës së Aviacionit Civil iranian, fluturimet civile që kalojnë mbi këtë zonë do t’i nënshtrohen kontrolleve dhe kufizimeve të forta sigurie.

Vendimi vjen në një moment kur raportimet ndërkombëtare flasin për mundësinë e rikthimit të operacioneve ushtarake nga SHBA kundër Iranit, ndërsa paralelisht po vazhdojnë edhe përpjekjet diplomatike për shmangien e një përshkallëzimi të ri.

Autoritetet iraniane kanë bërë me dije se aktualisht vetëm tetë aeroporte në vend do të vijojnë aktivitetin normal, mes tyre aeroportet Mehrabad dhe Imam Khomeini në Teheran, si edhe aeroportet në Isfahan dhe Jazd.

Sipas rregullave të reja, fluturimet do të lejohen vetëm gjatë orëve të ditës, nga lindja deri në perëndim të diellit, ndërsa kompanitë ajrore do të duhet të sigurojnë autorizim të posaçëm për çdo lëvizje.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit u rritën pas sulmeve të ndërmarra në fund të shkurtit nga SHBA dhe Izraeli, megjithëse prej muajit prill është në fuqi një armëpushim i ndërmjetësuar nga Pakistani.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se veprimet ushtarake mund të rifillojnë nëse Teherani nuk pranon propozimin amerikan për paqe.