Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të përpiqet të marrë pjesë në dasmën e djalit të tij të madh, por theksoi se situata me Iranin dhe angazhimet politike e bëjnë të vështirë praninë e tij.

Gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale, Trump duket se konfirmoi raportimet se Donald Trump Jr. do të martohet këtë fundjavë.

“Ai do të donte që unë të isha aty”, tha Trump për të birin, duke shtuar se ceremonia do të jetë private dhe e vogël.

“Do të përpiqem të marr pjesë, por kjo nuk është koha e duhur për mua. Kemi Iranin dhe shumë çështje të tjera”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump komentoi me ironi edhe reagimet që mund të shkaktojë vendimi i tij për të marrë pjesë ose jo në dasmë.

“Nëse shkoj, do të më kritikojnë. Nëse nuk shkoj, sërish do të më kritikojnë”, deklaroi ai.

Donald Trump Jr., 48 vjeç, bëri publike fejesën me modelen dhe personazhin publik Bettina Anderson në muajin dhjetor, gjatë një eventi festiv në Shtëpinë e Bardhë.