Ministria e Jashtme e Iranit reagoi ashpër ndaj planeve të vendeve evropiane për të rikthyer sanksionet ndaj Republikës Islamike, duke e cilësuar këtë hap si të panevojshëm dhe që do të zvarrisë më tej zgjidhjen e çështjes bërthamore.

Nga Nju Jorku, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, kritikoi qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë kërcënuar të aktivizojnë mekanizmin e “kthimit të menjëhershëm” të sanksioneve sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 (JCPOA). “JCPOA nuk është zbatuar prej shtatë vitesh dhe vendet evropiane e pezulluan zbatimin e saj pas tërheqjes së SHBA-ve. Tani presin që vetëm Irani të përmbushë detyrimet?”, u shpreh ai.

SHBA u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, gjatë presidencës së Donald Trump, dhe që atëherë Irani ka thelluar programin e tij të pasurimit bërthamor. Ndërkohë, Britania, Franca dhe Gjermania kanë paralajmëruar se do të rivendosin sanksione të rënda nëse nuk shënohet përparim konkret deri në fund të gushtit.

Përpjekjet për të shmangur krizën do të vazhdojnë këtë të premte në Stamboll, ku zyrtarë iranianë dhe evropianë do të ulen në një tjetër raund bisedimesh. Gharibabadi theksoi se Irani do të kundërshtojë ligjërisht mekanizmin e rikthimit, por shtoi se vendi është ende i hapur për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Ky takim vjen pas tensioneve të rënda me SHBA-në, veçanërisht pas sulmeve të fundit izraelite ndaj infrastrukturës bërthamore iraniane, ku raportohet se janë përfshirë bombardues amerikanë. Si reagim, Teherani ka pezulluar bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe ka refuzuar rifillimin e negociatave me Uashingtonin pa garanci sigurie.

Bisedimet në Stamboll pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse palët mund të shmangin një krizë edhe më të thellë diplomatike dhe të sigurisë.