Irani ka paralajmëruar se tensionet në rritje në Lindjen e Mesme mund të çojnë në një rritje të fortë të çmimit të naftës, duke mos përjashtuar skenarin që ajo të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi. Paralajmërimi vjen në një kohë kur përshkallëzimi ushtarak në rajon po krijon tronditje të mëdha në tregjet globale të energjisë.

Më 11 mars, zëdhënësi i komandës ushtarake iraniane, Ebrahim Zolfaqari, deklaroi se përkeqësimi i situatës së sigurisë në rajon mund të dyfishojë çmimet e naftës. Reagimi i tij erdhi pas raportimeve për sulme ndaj tre anijeve tregtare pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më strategjike për transportin ndërkombëtar të energjisë.

Sipas UK Maritime Trade Operations (UKMTO), gjatë natës së së mërkurës tre mjete lundruese – një anije e madhe mallrash, një anije kargo dhe një anije kontejnerësh – u goditën nga predha me origjinë ende të paqartë. Që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt, janë regjistruar të paktën 17 incidente që kanë prekur trafikun detar në Gjirin Arabik, Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit.

Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nyje kyçe për tregtinë globale të energjisë, pasi rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalon përmes saj. Garda Revolucionare iraniane ka paralajmëruar se çdo anije që lundron në këtë zonë mund të kthehet në objektiv sulmi.

Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje që kompanitë e energjisë të vijojnë përdorimin e kësaj rruge detare, duke deklaruar se pjesa më e madhe e minave detare të vendosura nga Irani janë neutralizuar.

Pas shpërthimit të konfliktit, çmimi i naftës u rrit mbi 110 dollarë për fuçi më 9 mars, përpara se të zbriste në rreth 85 dollarë. Megjithatë, pasiguria e vazhdueshme në rajon ka ushtruar presion të menjëhershëm mbi çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po shqyrton vendosjen e një tavani për çmimin e gazit, në përpjekje për të stabilizuar tregun energjetik. Paralelisht, vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë kanë njoftuar planin për të hedhur në treg rreth 400 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike për të zbutur ndikimin e krizës.

Situata mbetet e tensionuar edhe në terren. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se më 10 mars forcat amerikane kanë shkatërruar disa mjete ushtarake detare iraniane dhe 16 sisteme për vendosjen e minave detare në zonë.

Sipas CENTCOM, ekziston rreziku që Irani të përdorë edhe portet civile përgjatë Ngushticës së Hormuzit për operacione ushtarake. Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar ekuipazhet dhe punonjësit e anijeve tregtare të shmangin këto zona, duke theksuar se portet civile të përdorura për qëllime ushtarake mund të humbasin mbrojtjen që u garanton ligji ndërkombëtar dhe të konsiderohen objektiva legjitime.

Në të njëjtën kohë, ushtria amerikane ka deklaruar se do të vazhdojë të ndërmarrë masa për të kufizuar dëmet ndaj civilëve në rajon.