Prej 9 ditësh, Irani gëlon nga protestat kundër regjimit islamist që kanë shënuar edhe viktima.

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka përsëritur sërish kërcënimin e tij për ndërhyrje nëse sulmohen protestuesit, teksa sipas raportimeve të deritanishme,  19 protestues dhe një anëtar i forcave të sigurisë ishin vrarë. Trump paralajmëroi gjatë natës se autoritetet iraniane do të “goditeshin shumë rëndë” nëse vazhdojnë të sulmojnë protestuesit.

“Po e ndjekim nga afër situatën. Nëse fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, mendoj se do të goditen shumë rëndë nga Shtetet e Bashkuara”-, tha ai.

Mëngjesin e së hënës, kryetari i parlamentit të Iranit tha se kërkesat legjitime të protestuesve duhet të dëgjohen dhe të përdoren si bazë për ndryshim, por ai shtoi se çdo agjent i huaj dhe kundërshtar i regjimit që përpiqet të shfrytëzojë protestat do të përballet me kudnërpërgjigje.

Komentet e tij u bënë jehonë atyre të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka deklaruar se “rebelët duhet të vendosen në vendin e tyre”.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane, Esmail Baqai akuzoi gjithashtu Izraelin se po përpiqet të minojë unitetin kombëtar të Iranit, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu shprehu solidaritetin e qeverisë së tij me luftën e popullit iranian të dielën. Ai tha se deklaratat e Netanyahut dhe disa zyrtarëve radikalë amerikanë nuk ishin asgjë më shumë se nxitje për dhunë.

Protestat e fundit në Iran filluan kur tregtarët dolën në rrugët e Teheranit më 28 dhjetor për të shprehur zemërimin e tyre për një rënie tjetër të ndjeshme të vlerës së monedhës iraniane kundrejt dollarit amerikan.

Riali ka rënë në një nivel rekord të ulët dhe inflacioni është rritur në 40%, ndërsa sanksionet mbi programin bërthamor të Iranit e shtrydhin ekonominë. Studentët e universitetit shpejt iu bashkuan protestave dhe ato filluan të përhapeshin në qytete të tjera.