Irani ka deklaruar se rihapja e Ngushticës së Hormuzit varet nga marrja e “garancive objektive” nga Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës në të gjitha frontet dhe zbatimin e angazhimeve të përcaktuara në një iniciativë diplomatike shtatëditore të Teheranit.

Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh, tha se Teherani kërkon gjithashtu lirimin e aseteve iraniane të ngrira, heqjen e kufizimeve ndaj naftës dhe përfundimin e bllokadës detare.

Sipas iniciativës së propozuar nga Irani, SHBA-ja do të duhej fillimisht të zbatonte këto masa, ndërsa Teherani më pas do të ishte i gatshëm të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe të niste negociatat për një marrëveshje përfundimtare brenda shtatë ditësh.

Khatibzadeh tha se iniciativa i është përcjellë Uashingtonit përmes Katarit dhe se Irani ka marrë më pas përgjigjen amerikane përmes të njëjtit kanal ndërmjetësimi.

“Topi është në fushën e SHBA-së”, deklaroi ai.

Sipas zyrtarit iranian, Teherani vazhdon të kërkojë një zgjidhje diplomatike, ndërsa paralelisht ruan gatishmërinë e lartë mbrojtëse për çdo skenar.