Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, deklaroi se sulmet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit janë pasojë e shkeljeve të angazhimeve të marra nga Teherani dhe jo një veprim i pajustifikuar nga Uashingtoni.

Në një intervistë për televizionin TF1, Barrot tha se Irani ka shkelur marrëveshjen e arritur me SHBA-në muajin e kaluar, duke sulmuar anijet që lundronin në ujërat e Omanit dhe duke cenuar të drejtën ndërkombëtare.

“Është Irani ai që, duke sulmuar anijet që qarkullonin në ujërat e Omanit, shkeli angazhimet e veta dhe të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh kryediplomati francez.

Ai theksoi se veprime të tilla duhet të ndalen menjëherë, në mënyrë që negociatat mes palëve të mund të vazhdojnë në kushte sa më të favorshme, ndërsa bëri thirrje për qetësi dhe ulje të tensioneve në rajon.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së për Lindjen e Mesme (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane goditën rreth 90 objektiva ushtarake në Iran. Sipas deklaratës zyrtare, në shënjestër ishin sisteme të mbrojtjes ajrore, objekte të mbikëqyrjes bregdetare, depo raketash dhe sisteme ajrore pa pilot.

Sipas autoriteteve amerikane, operacioni kishte si objektiv dobësimin e aftësisë së Iranit për të kryer sulme ndaj anijeve tregtare dhe personelit civil detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike për transportin global të naftës.