Bërthamoret 


Irani nuk i ka kushtuar rëndësi një raporti të fundit të inspektorëve të OKB-së, ku theksohet se Teherani po pasuron ndjeshëm uraniumin në një nga objektet e tij bërthamore.


Perëndimi i sheh veprime të tilla nga Teherani si shenja të ambicieve iraniane për të prodhuar armë bërthamore. Një raport i publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike thekson se mostrat e marra nga objekti Fordow në shkurt tregojnë praninë e uraniumit të pasuruar në masën 27 për qind. Irani ka deklaruar kapacitetin e pasurimit deri në masën 20 për qind në atë objekt të ndërtuar në një bunker nëntokësor.


I dërguari iranian pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike tha se niveli i lartë i pasurimit që kishte rezultuar gjatë analizave ishte thjesht një çështje teknike që po shqyrtohej nga ekspertët vendas.