Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka mohuar sërish çdo kontakt të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se i vetmi komunikim ka ndodhur vetëm nëpërmjet ndërmjetësve.
“Shkëmbimi i mesazheve përmes ndërmjetësve nuk do të thotë negociata”, tha Araghchi për televizionin shtetëror iranian, duke sqaruar se Irani nuk ka ndërmend të zhvillojë bisedime direkte me SHBA-në.
Ai gjithashtu u shpreh se vendi i tij ka treguar botës se asnjë vend nuk mund të kërcënonte sigurinë e Iranit dhe kritikon SHBA-në për mosmbrojtjen e aleatëve të saj në Gjirin Persik, pavarësisht pranisë së bazave ushtarake amerikane në rajon.
“SHBA-të kanë dështuar të mbrojnë aleatët e tyre në Gjirin Persik, edhe pse kanë baza ushtarake aty”, shtoi Araghchi.
Propozimi i SHBA-së për të dhënë fund luftës po shqyrtohet nga autoritetet më të larta në Teheran, por sipas Araghchit, ky proces nuk përbën negociata direkte.
