Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump gjithmonë e më shumë po shprehet kundër emigrantëve në SHBA, një detaj i ri i zbuluar për prejardhjen e tij tashmë duket si ironi fat.
Origjina e hershme e Trump duket se është nga Evropa dhe në SHBA, familja e tij ka mbërritur si emigrant financiar. Shpesh flitet për lidhjet e Donald Trump-it me Skocinë, përmes nënës së tij, Mary Anne MacLeod Trump, e cila ka lindur në Tong, një fshat i vogël në Ishullin Lewis në Hebridat e Jashtme.
Por lidhjet e tij me Gjermaninë janë më të thella, pasi të dy gjyshërit e tij nga ana e babait ishin gjermanë. Fredrich dhe Elizabeth Trump kanë lindur në Kallstadt, një fshat i vogël në rajonin e Palatinatit në Gjermani, në jugperëndim të Frankfurtit. Fotografia e publikuar më sipër tregon shtëpinë e gjyshit të Donald Trumpit në fshatin gjerman Kallstadt.
Jeta e tyre pasqyron një histori klasike amerikane nga varfëria në pasuri. Fredrich emigroi në Nju Jork dhe më pas në Siatel në vitin 1885, ku u përfshi në biznesin e pasurive të patundshme dhe në industrinë e restoranteve.
Hulumtimet tregojnë se ai kishte marrë me qira dhe drejtonte një restorant me bar dhe madje një bordello pranë ‘Poodle Dog’, ku reklamonte “dhoma private për zonja”.
Ai u kthye në Gjermani në vitin 1901, ku u martua me Elizabeth Christ. Çifti më pas u kthye në Nju Jork, ku u vendosën. Ata patën dy fëmijë, John dhe Fred, i cili ishte babai i Donald Trump-it.
Presidenti Trump nuk e ka takuar kurrë gjyshin e tij. Fredrich vdiq në Queens në vitin 1918, vetëm 49 vjeç. Por ai e njohu gjyshen e tij gjermane para vdekjes së saj në vitin 1966. Ajo mori përsipër pronën familjare dhe zhvilloi biznesin, duke ndihmuar në themelimin e asaj që do të bëhej perandoria e pasurive të patundshme të Trump-it.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili udhëtoi për në Uashington më 5 qershor, e kishte ftuar më parë presidentin e SHBA-së të vizitonte vendlindjen e tij të stërgjyshërve. Ende nuk dihet nëse Trump e ka pranuar ftesën.



