Bisedimet për armëpushimin në Gaza mund të zhvillohen në një Jaht në Sardenja të Italisë, ku pritet të jenë i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Uitkoff, Ministri i Jashtëm Izraelit, Ron Dermer, dhe Kryeministri i Katarit, Mohammed Al-Thani.

Sipas Ansa, takimi që mund të zhvillohet në një megajaht të ankoruar në Costa Smeralda, potencialisht pritet të arrijë një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Sipas shumë pak informacioneve që kanë rrjedhur, Uitkoff ka mbërritur këtë mëngjes në aeroportin e Olbias dhe do të transferohet në një anije të madhe pranë brigjeve të Gallurës.

Izraeli ka konfirmuar se ka pranuar propozimin për një armëpushim 60-ditor në Gaza ndërsa edhe Hamasi pretendon se ka paraqitur përgjigjen e tij dhe atë të fraksioneve palestineze për propozimin e armëpushimit të ndërmjetësve. Lëvizja islamiste e tha këtë në një deklaratë të publikuar në Telegram, ndërsa përgjigja përfshin ndryshime të propozuara në klauzolat mbi hyrjen e ndihmës humanitare, harta të zonave nga të cilat duhet të tërhiqet ushtria izraelite dhe garanci në lidhje me përfundimin definitiv të luftës, sipas një burimi palestinez të njohur me bisedimet e zhvilluara në Doha.

Negociatorët po përpiqen për një armëpushim që do të lejojë lirimin e 10 pengjeve izraelite në këmbim të një numri të panjohur të burgosurish palestinezë. Por bisedimet janë zvarritur për më shumë se dy javë pa ndonjë përparim, me secilën palë që akuzon tjetrën se refuzon të heqë dorë nga kërkesat kryesore. Izraeli kërkon çmontimin ushtarak të Hamasit ndërsa lëvizja kërkon garanci të forta për një armëpushim të qëndrueshëm, një tërheqje të plotë të trupave izraelite dhe rrjedhën e lirë të ndihmës humanitare në Gaza.

Ndërkohë, situata në Gaza sa vjen e bëhet më e rënduar. Palestinezët, përveç sulmeve me bomba, duhet të përballen me mungesën e skajshme të ushqimeve, ujit dhe ndihmës mjekësore.