Një person i armatosur ka hapur zjarr në ambientet e një zyre të administratës lokale në periferi të Bangkokut, duke plagosur dy persona. Autori i dyshuar është arrestuar menjëherë pas ngjarjes nga policia.
Sipas autoriteteve tajlandeze, i dyshuari është një ish-deputet, i cili dyshohet se ka qëlluar ndaj një zyrtari të lartë provincial dhe shoferit të tij.
Komandanti i policisë provinciale, gjeneral-lejtnant Dezrapi Kongdi, konfirmoi se të dy personat e plagosur janë transportuar në spital, ku po marrin trajtim mjekësor.
Incidenti vjen vetëm pak ditë pas një sulmi të rëndë me armë në një shkollë në Tajlandë. Një 14-vjeçar dyshohet se vrau fillimisht gjyshin dhe gjyshen e tij dhe më pas hapi zjarr ndaj personave të tjerë në shkollën ku mësonte.
Nga sulmi i së premtes në provincën Nonthaburi humbën jetën nëntë persona dhe më shumë se 20 të tjerë mbetën të plagosur. Pas ngjarjes, adoleshenti dyshohet se qëlloi edhe veten.
Sulmi u konsiderua një nga ngjarjet më të rënda të këtij lloji në Tajlandë gjatë afro katër viteve të fundit dhe ka rikthyer debatin mbi kontrollin dhe posedimin e armëve në vend.
Ndërkohë, nxënësit janë rikthyer sot në shkolla në të gjithë Tajlandën. Në disa institucione arsimore janë shtuar masat e sigurisë, përfshirë kontrollet me detektorë metalesh.
Pas ngjarjeve të fundit, kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul ka përsëritur angazhimin e qeverisë për forcimin e masave për kontrollin e armëve në vend.
