Skandali “Epstein” vijon të shkaktojë trazira në Britaninë e Madhe, por më së shumti në familjen mbretërore. Ish-dukesha e Jorkut Sarah Ferguson po i mbyll kompanitë e saj pas zbulimeve të fundit në dokumentet e financierit pedofil, të cilat tregojnë se si ajo vazhdoi të mbante kontakte me të edhe pas dënimit të tij. Ajo i ka rrëfyer atij edhe detaje intime rreth vajzave të saj.

Ferguson është ish-bashkëshortja e ish-princit Andrew, që gjithashtu ka qenë në qendër të skandalit. Ajo ka vendosur të mbyllë 6 kompani të saj pas daljes së dosjes “Epstein”. Ish-dukesha e kontaktoi vazhdimisht Epstein, madje edhe kur ai ishte në burg duke i kërkuar ndihmë për shlyerjen e borxheve (me vlerë 6 milionë paundë) dhe këshilla për bizneset e saj në vështirësi.

Dokumentet përmendin e vajzat e ish-Princit Andrew dhe Ferguson: Beatrice, 37 vjeç, dhe Eugenie, 35 vjeç. Në një pasazh preket jeta private e Eugenie kur ajo ishte ende vajzë.
Vitin e kaluar, zëdhënësi i Ferguson siguroi se ish-dukesha i kishte ndërprerë lidhjet me Epstein sapo doli në pah serioziteti i akuzave. Megjithatë, dosjet tregojnë një histori tjetër.

Ajo jo vetëm që vazhdoi kontaktet, por e takoi atë në Miami, 5 ditë pas lirimit të tij në vitin 2009, për shkak të një dënimi të vitit 2008 për prostitucion me fëmijë, nga i cili kishte vuajtur 13 muaj nga një dënim 18-mujor.

Në atë kohë, Beatrice ishte 20 vjeç dhe Eugenie ishte 19. Nëna dhe vajzat drekuan me financierin më 27 korrik. Në një email, Epstein e pyeti Fergusonin se ku ishte. Ajo iu përgjigj 1 orë e gjysmë më vonë: “Jam në Miami, duke mbërritur në shtëpinë tuaj në orën 12:30. Unë, Beatrice dhe Eugenie do të jemi atje.”

Të nesërmen, ajo i konfirmoi takimin me Ghislaine Maxwell. Dokumentet zbulojnë gjithashtu se Epstein pagoi që të treja të fluturonin për në SHBA, për një total prej mbi 14 000 dollarësh.

Një muaj më vonë, Ferguson i shkroi Epsteinit për shumë propozime dhe mundësi që kishte marrë për bizneset e saj.

“Pas drekës me ty, energjia ime u rrit ndjeshëm brenda një jave. Nuk jam ndjerë kurrë kaq e prekur nga mirësia e një miku, veçanërisht nga komplimenti që u bëre vajzave të mia. Faleminderit, Jeffrey, je vëllai që kam ëndërruar gjithmonë” – shkruan ajo. Në vitin 2010, toni i saj ishte edhe më i dashur: “Je një legjendë, dashuria ime. Nuk kam fjalë për bujarinë tënde. Jam në shërbimin tënd, vetëm më thuaj.”

Në një email tjetër, dy muaj më vonë, Ferguson flet për jetën intime të vajzës së saj më të vogël: “Po pres që Eugenie të kthehet nga një fundjavë seksi”. Epstein e pyet më pas nëse mund t’i përshëndeste vajzat e saj. Ajo iu përgjigj: “Beatrice është në Londër me të atin, Eugenie është larg me një djalë simpatik.”

Gjatë bisedave me Epstein, Sarah i dërgoi edhe foto të të dyja vajzave. Beatrice dhe Eugenie kanë heshtur deri më tani për këtë korrespondencë, por ekspertja e familjes mbretërore Ingrid Seward i tha CNN se zbulimet i kanë “tronditur thellësisht” ato. Beatrice dhe Eugenie gjithmonë e kanë shmangur rolin e përfaqësueseve aktive të Kurorës, duke preferuar një jetë diskrete.