Disa ditë pasi autoritetet norvegjeze nisën një hetim për korrupsion të lidhur me dosjet e Jeffrey Epstein ish-kryeministri i Norvegjisë, Thorbjorn Jagland, është shtruar në spital pas një tentative për vetëvrasje.

Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Jagland dhe anëtarë të familjes së tij dyshohet se kanë kaluar pushime në rezidencat e financierit të ndjerë midis viteve 2011 dhe 2018. Në një prej komunikimeve të përfshira në këto dokumente, ai përmendte edhe Shqipërinë, duke përdorur një shprehje që ka ngritur pikëpyetje dhe dyshime mbi sjelljen e tij gjatë asaj periudhe.

Pas publikimit të materialeve, autoritetet në Norvegji nisën hetim për korrupsion dhe kryen kontrolle në banesën e tij në Oslo, nga ku raportohet se u sekuestruan disa kuti me dokumente.

Njësia norvegjeze e krimeve ekonomike, Okokrim, konfirmoi bastisjet dhe bëri të ditur se ish-kryeministri dyshohet për “korrupsion të rënduar”. Hetimi përqendrohet në dyshimet për përfitime të mundshme të marra gjatë kohës që ai mbante poste të larta ndërkombëtare.

Bastisjet pasuan një vendim të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për të revokuar imunitetin diplomatik të Jagland, pas një kërkese nga autoritetet norvegjeze.

Jagland ka shërbyer si Kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996–1997. Ai ka qenë gjithashtu kryetar i Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës për rreth një dekadë.

Sipas dokumenteve të publikuara, Epstein e përshkruante Jaglandin si “shumë i madhi i Nobelit”, ndërsa materialet sugjerojnë se ai kishte mbuluar shpenzimet e udhëtimeve të ish-kryeministrit dhe familjes së tij drejt pronave të tij.

Kreu i Okokrim, Pal Lønseth, deklaroi se ekzistojnë baza të arsyeshme për hetim, duke theksuar se do të shqyrtohet nëse janë marrë dhurata, udhëtime apo përfitime të tjera në lidhje me pozicionet zyrtare që Jagland ka mbajtur gjatë periudhës së përfshirë në dokumente./Faytuks Network