Izrael 


Është hera e parë që një zyrtar i tillë dënohet për akuza të tilla


Olmert u dënua për një “krim” të vogël, që ai vetë e cilësoi si “një gabim të vogël procedural”, duke u çliruar nga dy akuzat e tjera për krime më të rënda


Ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, u shpall fajtor për korrupsion nga Gjykata e Jerusalemit dhe u dënua me 4 muaj punë të detyrueshme sociale në favor të komunitetit hebre. “Nuk ka pasur korrupsion. Nuk kam marrë ryshfet dhe as shpërdoruar fonde”, tha ai, duke dalë nga gjykata. Olmert u dënua për një “krim” të vogël, që ai vetë e cilësoi si “një gabim të vogël procedural”, duke u çliruar nga dy akuzat e tjera për krime më të rënda. Në fakt, akuzat lidhen me favoret që Olmert i garantoi avokatit Uri Messer, për disa dekada krahu i tij i djathtë dhe i besuar, në kohën kur ishte vetëm ministër i Tregtisë dhe Industrisë. Por gjykata, në prononcimin e verdiktit, e “çliroi” atë nga dy akuzat për krime më të rënda, mes të cilave ajo që kishte marrë ryshfet për të promovuar në Izrael interesat e një biznesmeni hebre me nënshtetësi amerikane, Morris Talansky. Po ashtu, ai u çlirua edhe nga akuza se u ka ngarkuar disa organizata humanitare fatura të majme, madje të falsifikuara për të rimbursuar udhëtimet tij jashtë vendit. Olmert, nga ana tjetër, duhet të përballet me një proces të dytë për akuzat e vitit 2008, që e detyruan të japë dorëheqjen nga kreu i qeverisë së shtetit hebre: bëhet fjalë për periudhën kur ishte kryetar i bashkisë së “Qytetit të Shenjtë” mes viteve 1993 dhe 2003. Ky rast, që përfundoi me dënimin, edhe pse të pjesshëm të një ish-kryeministri, është konsideruar nga media si i paprecedentë në listën e gjatë të skandaleve politike në historinë e Izraelit.